Për lavdinë më të madhe të Hyjit
Jemi njerëz të Kishës dhe për Kishën. Asaj ia ofrojmë gjithë gatishmërinë tonë për të realizuar misionin e saj universal. Me Atë ecim duke kërkuar bashkëpunimin me të gjitha forcat tona aktive që e frymëzojnë. Për Atë vazhdimisht e pyesim veten mbi cilin kontribut specifik mund të çojmë me përshpirtmërinë tonë. Është një marrëdhënie dashurie që na bën “të ndiejmë” problemet e saj dhe caqet e saj sikur të ishin tonat. Në sajë të kësaj lidhjeje, kontribuojmë që ta bëjmë të përparojë drejt lavdisë më të madhe të Hyjit.
Bindja e drejtpërdrejtë
Disa prej nesh bëjnë një kusht të veçantë bindjeje papës. Është i ashtuquajturi kusht i katërt: "Bindja në lidhje me misionin". Duke pasur Papa një vizion universal të Kishës, më mirë se të tjerët i njeh se cilët janë kufijtë drejt të cilëve është e përshtatshme të dërgohemi. Injaci dhe shokët e tij të parë u mblodhën në një shoqëri pikërisht me qëllim që të viheshin në shërbim të tij duke i dhënë gatishmërinë e plotë për të kryer çdo mision.
Shih si jetojmë kushtet tjera >
Në kufi
Kontributin më të çmuar që ne mund ti ofrojmë Kishës universale është të qëndrojmë në kufi, ose në ato vende ku njeriu bën pyetje të reja apo mundohet për të gjetur përgjigje. E ndiejmë akoma të fortë thirrjen që Pali i VI-të na drejtoi me rastin e 32 të Kongregatës së Përgjithshme (3 dhjetor 1974):
"Kudo në Kishë, edhe në fushat më të vështira dhe kritike, në udhëkryqet e ideologjive, në hendeqet shoqërore, ka qenë dhe ekziston ballafaqimi mes nevojave të forta të njeriut dhe mesazhit të përjetshëm të Ungjillit, atje ka qenë dhe janë jezuitët".