Shtëpia botuese më e vjetër e Shqipërisë dhe kontributi i saj për Lëvizjen Kombëtare, arsimimin dhe kulturën
“Tipografia e Zojës së Papërlyeme” në Shkodër (1870–1945)
Markus W. E. Peters
Qendra Botuese Shoqata e Jezuitëve, 2016
Me themelimin e shtypshkronjës së Jezuitëve u vu edhe themeli i botimit të librit në gjuhën shqipe në truallin shqiptar, duke filluar me publikimin e katekizmit të shtypur në vitin 1876, të vikarit të përgjithshëm shkodran Imzot Engjëll Radoja (1820-1880). Për dyzet vjet me radhë kjo do të ishte shtypshkronja e vetme, ose më saktë e vetmja shtëpi botuese, e cila do të funksiononte në Shqipërinë që ndodhej nën një sundim armiqësor (sub hostili dominatione) dhe do t’i pajiste njerëzit me letërsi në gjuhën amtare.
Etërit dhe shkrimtarët e Shoqërisë Jezuite kanë dhënë kontribute të rëndësishme pedagogjike dhe letrare për Lëvizjen e Rilindjes po ashtu edhe nëpërmjet letërsisë fetareedukative, dhe këtë gjë ata e kanë bërë edhe para dhënies së lejes nga organet dhe futjes në punë të shtypshkronjës së tyre në vitet 1869- 1870: Dy nga tre jezuitët e parë që shkelën trojet shqiptare, pikërisht Giuseppe Quagliata SJ dhe Vincenzo Basile SJ (1811-1880) patën botuar tashmë që në vitin 1845 nëpërmjet Propaganda Fides një katekizëm në gjuhën shqipe (Quagliata) si dhe një libër edukativ me titull “Rruga e Parrisit” (Basile) dhe këto dy vepra patën që të dyja dy botime të reja apo me saktë rishtypje; në vitin 1864 është pastaj jezuiti Gaetano Bruschi (1830-1899), i cili që në vitin 1863 kishte ofruar tashmë në Shkodër ushtrime shpirtërore (ekzersicie) në gjuhën shqipe me anë të një libri meditimesh dhe lutjesh për muajin maj të Shën Marisë; në vitin 1868 provinciali Giovanni Marcucci SJ dha në mënyrë të theksuar udhëzimin, për të mësuar me zell gjuhën shqipe; dhe tashmë në vitin 1878 italiani Giacomo Jungg SJ jepte mësim në gjuhën shqipe, kurse në vitin 1880/81 u botua një gramatikë e parë dhe në 1895 një fjalor, që të dyja këto vepra u publikuan në Shqipëri nga Jezuitët.